Shqipëria merr nesër ftesën për vend kandidat të BE-së

 

 

Një ditë përpara daljes së progress-raportit mbi Shqipërinë, agjencia e lajmeve Ansa, e cila njihet për burimet e saj në Bruksel, ka paralajmëruar për rezultatin: Shqipëria merr nesër dritën jeshile.

Komisioni Europian do t’i japë zyrtarisht ftesën Shqipërisë për të qenë vend kandidat për në BE, por një “po” e kushtëzuar.

Sipas ANSA-s, Shqipëria mund të marrë statusin, por vetëm mbi bazën e një numri kushtesh që lidhen me procesin e reformave politike, që po zhvillohen në vend. Tani për tani fillimi i negociatave për anëtarësim nuk është përfshirë në propozimin e Komisionit Europian.

Kushtet që do të shoqërojnë Shqipërinë - e cila ka aplikuar për anëtarësim më 27 prill të vitit 2009 - për pjesën e rekomandimit për statusin duhen plotësuar para muajit dhjetor, kur vendet anëtare do të marrin në shqyrtim rekomandimin e Komisionit, për të vendosur nëse vendi e meriton apo jo statusin kandidat.

Ndërkohë, sipas ANSA-s, nuk ka asgjë të re tek raporti i BE-së për sa i përket Serbisë dhe sinjaleve konkrete të normalizimit të lidhjeve me Kosovën.

Për statusin, Komisioni është fokusuar në përmbushjen e prioriteteve \"të lehta\": votime ligjesh në parlament apo zgjedhja kushtetuese e Presidentit, por vendet e BE-së kanë kërkuar kujdes në zgjedhjet e vitit 2013, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, e mbi të gjitha, pavarësi të gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe respektim të të drejtave të njeriut.
 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.